Sot dita e 70-të e protestës mbarëqytetare: Rama ka nevojë për kontroll otorino-optik
Për shkak të të përmendurit çdo natë, sipas eksperteve biologë edhe flamingot në Nartë po vuajnë se po i nget lemza pa pushim. Ndërkohë Ramës duket se s'po i mbërrin zëri ose mund të ketë probleme serioze shikimi e dëgjimi, sepse ende nuk e ka kuptuar që populli në shesh po i kërkon dorëheqjen.
Sot u shënua dita e 70-të rresht e protestës, ku qytetarët zbritën përsëri në rrugët e kryeqytetit me të njëjtën këmbëngulje për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Pas më shumë se dy muajsh rezistence të përditshme të popullit — që vazhdon të heqë dorë nga nevojat personale e të lërë edhe punët e shtëpisë të pabëra vetëm për të kërkuar ikjen e Edi Ramës (se kanë akoma shumë të qartë se ku do ta çojnë, po për momentin duket se ka rëndësi ikja se pas 3-4 vitesh mund ta votojnë prapë) — efektet anësore kanë kapërcyer çdo kufi imagjinatë. Në Nartë e në Divjakë, ekspertët të shqetësuar kanë shpjeguar se edhe flamingot po ankohen se po u merret fryma nga lemza prej përmendjes së emrit të tij çdo ditë pa pushim, ndërsa kryeministri nga ana tjetër vazhdon t'i ketë shqisat e orientimit me pushime.
Megjithatë, enigma më e madhe e kësaj dite të 70-të mbetet vetë kryeministri. Ky njëri "dëgjon e shikon", apo ka nevojë per kontrolle serioze otorino-optike? Ja pra, pse shumë pankarta sot mbanin shkrime si: "O Rama a po na dëgjon, o Rama a po na shikon, populli më s'po të don" dhe "Rama s'dëgjon, Rama s'shikon, Rama shko, ik larg!".
Pavarësisht se kryeministri vazhdon të bëjë sikur nuk sheh e nuk dëgjon, qytetarët e mbyllën ditën me vendosmëri: nesër dita e 71-të do të jemi sërish këtu. Fundja, nuk kemi ngut: nëse nuk ikën sot, do të presim derisa të të votojmë prapë pas tre vitesh e të na bëhësh kryeministri i ri.