Sociale
NASA zbulon rrënoja në Mars, arkeologu grek Kapirëpakdhallopulos: "Janë kolonitë tona, Odiseu thjesht donte ti shmangej punëve të shtëpisë"
Zbulimi i roverit në planetin e kuq ndryshon historinë: Odisea nuk u zhvillua në Mesdhe, por në hapësirë, ku helenët e antikitetit lundruan për t'iu shm…
Imazhet e fundit me rezolucion të lartë të dërguara nga roveri i NASA-s në sipërfaqen e Marsit kanë tronditur komunitetin shkencor, pasi në pluhurin e kuq shfaqen disa struktura gurësh që i përngjajnë mjaft shtyllave të shembura të antikitetit.
Pa u mbushur as 10 minuta nga publikimi i fotove, historiografi dhe akademiku i njohur grek, Prof. Dr. Panajotis Kapirëpakdhallopulos, thirri një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp ku konfirmoi se ato janë pa asnjë dyshim mbetje të një akropoli arkaik helen.
Sipas Prof. Kapirëpakdhallopulos, kjo zbulon më në fund të vërtetën e fshehur mbi eposin e Homerit dhe rrugëtimin e famshëm të Odisesë.
"Historiografia e Perëndimit ka rënë në një keqinterpretim shekullor të shkrimeve," deklaroi solemnisht akademiku ndërsa shpaloste një hartë të lashtë qiellore. "Odiseu kurrë nuk u humb në ujërat e Jonit nga stuhitë e Poseidonit. Ai thjesht mori kthesën gabim te rrethrrotullimi i Hënës sepse po iu tregonte një barcaletë çunave."
Studiuesi shpjegoi se teknologjia detare e antikitetit zotëronte dije matematikore që e lejonin lundrimin mes trupave qiellorë.
"Eposi i Homerit është në fakt një kronikë e këtij udhëtimi ndëryjor," vazhdoi Prof. Kapirëpakdhallopulos. "Kthimi i tij pas dhjetë vitesh dhe rrëfimi mbi Ciklopin me një sy ishte thjesht një alegori e mençur mitologjike për të arsyetuar vonesën e gjatë përpara Senatit dhe familjes. Është, në thelb, dokumentimi më i vjetër i manovrave detare për tu justifikuar duke perdorur inteligjencen që vetëm grekët e kishin në atë kohë."
Për t'i dhënë më shumë peshë filologjike tezës së tij, profesori analizoi edhe etimologjinë e vetë planetit: "Pse quhet Mars? Sepse në greqishtën e vjetër arkaike, 'M'Arres' rrjedh nga koncepti i harmonisë qiellore dhe djathit Feta. Çdo rrënjë gjuhësore në univers e ka origjinën te ne!"
Shkencëtarët e NASA-s u përpoqën të sqaronin se formacionet e gurëve janë thjesht rezultat i erozionit miliardavjeçar të erës marsiane, por Prof. Kapirëpakdhallopulos e rrëzoi menjëherë argumentin e tyre:
"Çfarë dinë gjeologët modernë mbi erën? Era në Mars ka fryrë ekzaktësisht sipas parimeve të arkitekturës jonike dhe simetrisë dorike! Madje edhe përbërja e pluhurit të kuq marsian ka përputhshmëri të plotë me sedimentet e Egjeut."
Ndërkohë, institutet akademike fqinje të rajonit po punojnë me nxitim mbi një kundër-studim prej 900 faqesh për të provuar se fontet e para të alfabetit të Marsit në fakt ishin shkruar në dialektin e tyre vendas.